E premte, 21 tetor 2011

1944. Londra: Enver Hoxha nuk është i majtë

DOSSIER/ Dilemat e SHBA dhe Anglisë në shtator-nëntor 1944 për njohjen e një Ekzekutivi partizanësh të krijuar nga Enver Hoxha më 23 tetor 1944. “Daja Sam” shihte me simpati LNÇ-në, “Luani” donte vetëm Legalitetin, por që e braktisi në fund. E përjavshmja “Investigim” zbulon 8 dokumente të reja diplomatike amerikane dhe që hedhin dritë mbi aspekte pak të njohura të kulisave gjatë Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, në shtabin e forcave aleate në Kazerta të Italisë, në Uashington dhe Londër

Nga Thanas Mustaqi

Londra i thotë jo kërkesës së Enver Hoxhës së 23 tetorit 1944 për të njohur qeverinë e tij. Këtë ia kërkonte dhe Uashingtonit. Ky i fundit tha po. Dhe nga ana tjetër përgatit një grup të vogël zyrtarësh që kishte Departamenti i Shtetit në Bari që të formonin një mision. Ata do të hapnin në Tiranë një zyrë që do të ishte ekuivalent i një i “një selie të kombinuar diplomatike dhe konsullore, në pritje të rifillimit të marrëdhënieve të rregullta diplomatike”. Gazeta “Investigim” po boton 8 dokumente të rralla amerikane që pasqyrojnë dilemat për të njohur Qeverinë Provizore të dalë në Berat. Në memorandumin e ambasadës britanike në Uashington drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit më 3 nëntor 1944: “Në situatën e tanishme konfuze në Shqipëri qeveria e Madhërisë së Tij nuk do të propozojë njohjen e qeverisë provizore, e cila është formuar nga FNÇ-ja”.  Në këtë lojë “Luani” britanik  kërkon të tërheqë dhe “Dajë Samin”: “Ambasada Britanike është udhëzuar të shprehë shpresën se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë dakord.

E ADHMJA, NUK I DIHET

Por memorandumit të datës 3 nëntor 1944 të ambasadës britanike në Uashington Departamenti amerikan i Shtetit iu përgjigj vetëm pas 18 ditësh, më 21 nëntor, se SHBA pajtohej me pikëpamjen e qeverisë britanike se çdo kërkese për njohjen e qeverisë provizore të formuar në Berat që mund të merret në këtë kohë nuk duhet t’i akordohet [njohja]. Por “Departamenti mendon, megjithatë, se mund të jetë një fazë në të ardhmen jo të largët, në të cilën mund të shihet e përshtatshme të merret në konsideratë dëshira për arsye praktike që të krijohet një autoritet i tillë qeverisës që de facto mund të kontrollojë vendin në relacione të tilla të cilat do të mundësonin që kjo qeveri të hapte një zyrë në Tiranë me qëllim mbrojtjen e interesave amerikanë atje dhe koordinimin e aktiviteteve të përfaqësuesve të agjencive të tjera amerikanë, të cilët mund të dërgohen në Shqipëri”.

RISIA

Por amerikanët ua “drodhën” ishullorëve. 4 ditë më vonë, më 25 nëntor, Departamenti i shtetit i kërkon Presidentit Ruzvelt të miratojë krijimin e një misioni të vogël për t’u dërguar në Tiranë. Në këtë rast përmendet një “hibrid” përfaqësie: “seli e kombinuar diplomatike dhe konsullore”. Po citojmë këtë pikëpamje interesante dhe për historikun e diplomacisë: “Meqë ky grup do të veprojë si ekuivalent i një selie të kombinuar diplomatike dhe konsullore, në pritje të rifillimit të marrëdhënieve të rregullta diplomatike, sugjerojmë që z. Xhejkobs  të ketë rangun personal të ministrit [Since this group will be in effect the equivalent of a combined diplomatic and consular establishment, pending the resumption of regular diplomatic relations, we suggest that Mr. Jacobs have the personal rank of Minister]”. Pra, SHBA-ja, ndryshe nga Bretanja e Madhe [po përdorim gjuhën e kohës], shpresonte të rivendoste marrëdhënie diplomatike përderisa për kreun e misionit Xhejkobs kërkon gradën personale të Ministrit. Dhe për t’u dalë përpara pretendimeve britanike dhe forcave politike të interesuara në Shqipëri, në një memorandum të 19 dhjetorit 1944, Shef i Divizionit për Punët e Evropës Jugore, Kevendish Kenon, shpjegonte se kjo u bë “në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të shmanget nga dhënia e arsyeve në këtë kohë ndaj hamendjeve të palëve të interesuara lidhur me qëllimet e kësaj qeverie në organizimin e misioneve të tilla [in order that the Department may avoid giving grounds at this time for conjecture by interested parties regarding the intentions of this Government in organizing such missions]”.

PABESIA

Por edhe gjirokastriti ua “dredh” perëndimorëve. Nga ana tjetër, Departamenti i Shtetit , që me këtë “combined diplomatic and consular establishment” kishte për qëllim “mbrojtjen e interesave amerikanë”, nuk ishte informuar se në deklaratën e 23 tetorit të qeverisë së Enver Hoxhës, kishte një hile të madhe. “Kryeministri”, ndonëse përbetohej se “Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të përpiqet ta bëjë më të ngushtë bashkëpunimin me aleatët e mëdhenj: Bretanjën e Madhe, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe me të gjithë pjesëtarët e tjerë të bllokut antifashist”, po aty deklaronte botërisht se “Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të rishikojë të gjitha marrëveshjet politike, ushtarake dhe ekonomike të bëra me shtetet e huaja prej regjimit të Zogut dhe do t’i prishë të gjitha ato që janë në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar”!

DËSHTIMI

Britanikët nuk kanë ç’të bëjnë më, veçse ta njohin këtë qeveri dhe të shtiren se u pëlqen, një ironi elegante e një diplomati që vinte nga qarqet e korporatave të mëdha, atyre të sapunit dhe detergjentëve dhe që shquhej për një sjellje tejet aristokratike atje në Pallatin Mbretëror të Kazertës. Në një analizë të dërguar me avion (airgram) Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit më 13 nëntor 1944 shkruante se fatkeqësisht, politika britanike nënvlerësoi paraqitjen dhe efektivitetin e organizatës së FNÇ-së dhe mbivlerësoi forcën e Kupit. Ata, për të cilët u shpresua se do të grumbulloheshin rreth Kupit apo do të bashkoheshin me lëvizjen e tij të Legalitetit, nuk mundën t’u rezistonin floririt të gjermanëve dhe premtimeve për armë, madje asnjë nacionalist nuk mundi të shtjellonte ndonjë program konstruktiv për të tërhequr fshatarë apo të mbyste ambiciet e veta individuale… Pas disa muaj lëkundjesh, kohë gjatë së cilës britanikët mbajtën oficerët e tyre pranë Kupit, duke zemëruar në këtë mënyrë FNÇ-në, që deri tani e kishte akuzuar atë për bashkëpunim të hapur me gjermanët, nga Londra u dërguan direktivat për t’i hequr Kupit të gjithë mbështetjen.

“HOXHA NUK ËSHTË I MAJTË” (?!)

Kërku thotë se konkluzioni i rëndësishëm që mund të nxirrej nga biseda me Kupin dhe me ata oficerë britanikë të ndërlidhjes të cilët u orvatën të krijonin bllokun nacionalist dhe që dështuan, thjesht është tashmë një fakt i pashmangshëm që FNÇ-ja tani zotëron gjysmën e Shqipërisë dhe së shpejti do të zotërojë të gjithën. Kjo do të arrihet me dhunë të pamëshirshme, ose me përdorimin e forcës dhe eliminimin e kundërshtarëve të saj politikë. Dhe kryesisht për shkak se shumica e popullit tani e di se kohët e fundit organizata ka mbështetjen edhe të sovjetikëve edhe të britanikëve. Se qeveria do të kontrollohet nga komunistët dhe do të ndjekë vijën e Titos për Ballkanin e jugut. Kështu nuk ishin realizuar dhe shpresat e Forin Ofisit. Në një telegram të ambasadorit amerikan në Britaninë e Madhe, drejtuar Sekretarit të Shtetit më 19 shtator 1944, duke pasqyruar komentet e Forin Ofisit thuhej se  “LNÇ-ja është, natyrisht, shumë e majtë në prirjet e saj. Në LNÇ janë përfshirë një numër socialistësh të moderuar, por ata nuk drejtojnë politikat e saj”. Por është i çuditshëm mendimi se udhëheqësi i LNÇ-së, Enver Hoxha, “nuk është i majtë”.  Diplomacia britanike mendonte se kishte gjasa që në të ardhmen, pas çlirimit, LNÇ-ja të merrte pushtetin në Shqipëri. “Megjithatë nëse nuk modifikon prirjet e saj të majta ekstreme, ndoshta nuk do të jetë në gjendje të mbajë pushtetin për shumë kohë, pasi mendohet se zor të ketë ndonjë simpati për komunizmin në Shqipëri. Nëse LNÇ-ja e majtë do të ketë ndërmend të rrijë gjatë në pushtet, ka gjasa të plasë njëfarë lufte civile dhe Zogu mund t’ia arrijë të rikthehet”. Por nuk ndodhi kështu.

 

 

 

 

 

Londra: Zor se ka simpati për komunizmin në Shqipëri

 

Telegram i ambasadorit amerikan në Britaninë e Madhe (Uinant) drejtuar Sekretarit të Shtetit

Londër, më 19 shtator 1944, ora 18:00

[Marrë ora 22:20]

Një zyrtar i i Forin Ofis-it [Foreign Office – ministria e Punëve të Jashtme e Britanisë së Madhe] sot bëri këto komente në lidhje me Shqipërinë:

Tashmë mes LNÇ-së [inicialet shqip në origjinal për “Lufta Nacional-Çlirimtare” - “Investigim”] dhe Kupit kanë ndodhur konflikte lokale, në të cilat të parët kanë infiltruar në territorin, ku Kupi ka forcat e tij. Ky i fundit u ka kërkuar në mënyrë të përsëritur aleatëve armatime, që do të përdoren, siç tha ai, kundër gjermanëve. Gjithsesi, në qarqet aleate nuk besohet se këto armatime do të përdoren për këtë qëllim, dhe se ato do të drejtohen kundër LNÇ-së. Kupi, i cili asnjëherë nuk është vlerësuar pozitivisht për bashkëpunim me gjermanët, tani ka tërhequr pas tij disa elementë të tjerë nacionalistë shqiptarë, duke përfshirë edhe disa prej kukullave në shërbim të gjermanëve.

LNÇ-ja është, natyrisht, shumë e majtë në prirjet e saj dhe ka njëfarë ngjashmërie me EAM-in grek. [1] Në LNÇ janë përfshirë një numër socialistësh të moderuar, por ata nuk drejtojnë politikat e saj. Udhëheqësi, gjeneral kolonel Hoxha, nuk është i majtë. Kupi ka vetëm rreth 2.000 ndjekës të armatosur, ndërsa LNÇ-ja ka një numër shumë herë më të madh dhe në një luftë aktuale kjo e fundit [LNÇ-ja] padyshim do ta eliminonte Kupin.

Teksa Mbreti Zog është i shqetësuar, Kupi përfaqëson interesat e veta. Të vetmit elementë të tjerë zogistë janë me sa duket disa grupe fisnore, në veri. Çuditërisht, sipas zyrtarit të Forin Ofis-it, ndërsa në Shqipëri prestigji i Zogut ka qenë në rënie, ai është rritur ndjeshëm në qarqe shqiptare jashtë vendit.

Ka gjasa që në të ardhmen, tha zyrtari i Forin Ofis-it, pas çlirimit, LNÇ-ja të marrë pushtetin në Shqipëri. Megjithatë nëse nuk modifikon prirjet e saj të majta ekstreme, ndoshta nuk do të jetë në gjendje të mbajë pushtetin për shumë kohë, pasi mendohet se zor të ketë ndonjë simpati për komunizmin në Shqipëri. Nëse LNÇ-ja e majtë do të ketë ndërmend të rrijë gjatë në pushtet, ka gjasa të plasë njëfarë lufte civile dhe Zogu mund t’ia arrijë të rikthehet. Çfarëdo që mund të thuhet apo të mendohet për Zogun, tha Forin Ofis-i, ai ndoshta është i vetmi njeri me cilësitë e nevojshme të lidershipit, që ka dalë nga skena e ngatërruar politike në Shqipëri dhe në të njëjtën kohë është kreu i një fisi të fuqishëm dhe njeri popullor.

UINANT (WINANT)

 

Shënim i origjinalit:

[1] Fronti Nacional-Çlirimtar (Ethnikon Apeleftherotikon Metopon), organizatë e rezistencës greke e kontrolluar nga komunistët.

 

 

 

 

 

 

Përçarjet mes nacionalistëve dhe dezertimet drejt LNÇ

 

Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 28 shtator 1944, ora 14:00
[Marrë ora 16:07]

Referencë për telin tim nr. 451, datë 19 shtator. Komiteti Politik i BAF-it [Balkan Air Force – Forcat Ajrore aleate për Ballkanin] e konsideron të dëshirueshëm zgjerimin e ndihmave për LNÇ-në edhe pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria për arsye se kundërshtarët e saj politikë do të trashëgojnë armë të tepërta gjermane. Pranohet sinqerisht se kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Shqipërisë dhe, me sa duket, e panevojshme, qëkurse shumica e burimeve aleate në Bari tani besojnë se lufta civile mund të shmanget, përveç ndoshta në disa zona në veri-lindje dhe në Kosovë. Siç është raportuar në telin tonë nr. 572, datë 28 shtator përçarjet e fundit dhe shpërbërja mes elementëve nacionalistë dhe dezertimet drejt LNÇ-së e bëjnë pak të besueshme që armët gjermane mund të përdoren në mënyrë efektive edhe madje nëse do të mbeteshin në duart e kundërshtarëve të LNÇ-së. Për më tepër, supozohet që disa trupa aleate pushtimi do të mbërrijnë në kohë.

Përveç kësaj, u përjashtua indikacioni i dhënë kohët e fundit se LNÇ-ja po zbut qëndrimin ndaj kundërshtarëve të tij politikë dhe Kupit.

Komentet e Departamentit të Shtetit do të ishin të vlefshme sa më shpejt të jetë e mundur.

KËRK (KIRK)

 

 

 

 

 

Për qeveri provizore përfaqësuese me bazë të gjerë

 

Telegram i Sekretarit të Shtetit drejtuar z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate në Kazerta

UASHINGTON, më 5 tetor 1944, ora 22,00

Gjegje telit nr. 575 datë 28 shtator. Departamenti i Shtetit mendon se ndihma e aleatëve në formën e furnizimeve ushtarake për FNÇ-në nuk duhet të shtohet edhe pas tërheqjes së gjermanëve nga Shqipëria. Përderisa armët e furnizuara prezumohet se do të përdoreshin për luftë mes vetë shqiptarëve, dhënia e tyre jo vetëm do të përbënte ndërhyrje në punët e shqiptarëve, mund të rezultonte plotësisht në rritjen e gjakderdhjes në atë vend. Politika amerikane, bazuar në përparësinë e konsideratave ushtarake, priret në furnizimin me armë të elementëve apo grupeve të angazhuar aktivisht në luftë kundër gjermanëve, por nuk mund të pranojmë asnjë justifikim që armët e furnizuara të përdoreshin në një luftë të brendshme mes grupimesh politike.

Nuk mund të pranojmë disi pa rezervë supozimin se FNÇ-ja do të “spastrojë vendin” dhe ose nuk jemi të bindur plotësisht se FNÇ-ja do të jetë e pranueshme për popullin shqiptar në tërësi. Prandaj mendojmë se një politikë e dhënies së ndihmës këtij grupi për të imponuar autoritetin e tij në mbarë vendin vetëm sa mund të interpretohej në kundërshtim me parimin se populli shqiptar ka të drejtë të zgjedhë formën e vet të qeverisjes.

Departamenti i Shtetit s’ka marrë asnjë informacion që do të përligjte rishikimin e mendimit se Kupi dhe nacionalistët, pavarësisht çështjes së akuzave që janë bërë ndaj tyre për bashkëpunim me gjermanët, deri më tani nuk kanë arritur të meritojnë ndihmë ushtarake nga aleatët për shkak të inaktivitetit të tyre vis-a-vis armikut të përbashkët (Ref. telit tuaj nr. 415, datë 16 shtator).

Sapo gjermanët të eliminohen si faktor aktiv në çështjet shqiptare, shpresojmë se lufta civile mund të parandalohet dhe se rendi mund të vendoset në ato kushte që do ta bënin të mundur formimin sa më shpejtë të një qeverie provizore përfaqësuese me bazë të gjerë në përputhje me vullnetin e popullit shqiptar.
Dërguar në drejtim të AmPolAd (Kazerta), kopje në Londër.

HALL (HULL)

 

 

 

 

 

Londra: Kaosi, nuk njohim kabinetin e Beratit

 

Memorandum i ambasadës britanike drejtuar Departamentit amerikan të Shtetit

Sikurse do të informohet Departamenti i Shtetit, Enver Hoxha bëri një deklaratë më 20 [23 – “Investigim”] tetor në Berat se tani ishte formuar e para “qeveri demokratike e Shqipërisë”, dhe se ajo do të kërkojë prej qeverive të Bretanjës së Madhe, Bashkimit Sovjetik e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe prej gjithë pjesëtarëve të bllokut antifashist, njohje të plotë. [1] Në situatën e tanishme konfuze në Shqipëri qeveria e Madhërisë së Tij nuk do të propozojë njohjen e qeverisë provizore, e cila është formuar nga FNÇ-ja, dhe se duke informuar Departamentin e Shtetit për pikëpamjen e Qeverisë së Madhërisë së Tij, ambasada britanike është udhëzuar të shprehë shpresën se Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të jetë dakord.

UASHINGTON, më 3 nëntor 1944.

Shënim i origjinalit:

[1] Më 26 tetor, qeveria progjermane e Ibrahim Biçakut dha dorëheqjen, anëtarët e saj ia mbathën nga sytë këmbët. Këshilli Nacional-Çlirimtar në këtë kohë u mblodh në Berat dhe më 22 tetor formoi një qeveri provizore të Shqipërisë me Kryeministër gjeneral kolonel Hoxhën.

 

 

 

 

 

Kështu “Luani”shpërfilli Frontin dhe mbivlerësoi Kupin

 

Aerogram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 13 nëntor 1944.
[Marrë më 20 nëntor, ora 18:00]

Referuar telegramit të Departamentit të Shtetit me nr. 346, datë 8 [6], nëntor 1944, ora 16:00.  Z. Frederick T. Merrill, përfaqësues i kësaj zyre në Bari, Itali, ka raportuar më 10 nëntor 1944 për një bisedë me Abas Kupin dhe detajet e dështimit të opozitës ndaj FNÇ-së në Shqipëri, si vijon:

Pranverën e kaluar britanikët parashikuan se rritja e FNÇ-së mund prishte plotësisht bilancin politik në Shqipëri dhe të sillte në pushtet një grupim më shumë miqësor ndaj Rusisë se sa ndaj Anglisë. Oficerë britanikë të ndërlidhjes kanë qenë aktivë që nga pushtimi gjerman vjeshtën e vitit të kaluar në të gjitha pjesët e vendit, por ndihma në flori ose premtimet për mbështetje u janë dhënë kryesisht të ashtuquajturve udhëheqës nacionalistë, të cilët në kaluarën kanë qenë krerë fisesh, politikanë dhe sundimtarë të vendit. Politika e ndihmave për atë grupim që luftonte kundër gjermanëve u aplikua gradualisht (ndoshta pa dashje në fillim) për Ushtrinë Nacional-Çlirimtare të FNÇ-së, duke kulmuar me një marrëveshje për aksione të koordinuara kundër gjermanëve dhe shpërndarjen e ndihmave ushtarake, marrëveshje që u nënshkrua në Bari, Itali, në gusht 1944.* [*Në fakt vetëm në shtator Radio Bari ka filluar të mbështesë partizanët dhe vetëm pasi u hoq kreu i seksionit shqiptar të B[ordit] të L[uftës] P[sikologjike] dhe njeri me karakter të poshtër i quajtur Gyokova, i cili me sa duket duket ka pasur lidhje me fashistët në të kaluarën. [Fusnota në origjinal]].

Gjithsesi, me qëllim që t’i kundërvihej forcës politike në rritje të lëvizjes së FNÇ-së, Forin Ofis-i me sa duket vendosi në muajin prill të vitit të kaluar të bënte përpjekje për krijimin e një blloku nacionalist rreth majorit Abas Kupi, me të cilin ata kanë punuar që nga viti 1940 dhe që në atë kohë nuk bashkëpunonte me gjermanët. Një bllok i tillë, pasi të luftonte me sukses kundër armikut dhe meqë gëzonte mbështetje britanike, do të tërhiqte të moderuarit nga FNÇ-ja dhe të shndërrohej kështu në qeverinë e ardhshme të Shqipërisë.

Fatkeqësisht, politika britanike nënvlerësoi paraqitjen dhe efektivitetin e organizatës së FNÇ-së dhe mbivlerësoi forcën e Kupit. Ata, për të cilët u shpresua se do të grumbulloheshin rreth Kupit apo do të bashkoheshin me lëvizjen e tij të Legalitetit, nuk mundën t’u rezistonin floririt të gjermanëve dhe premtimeve për armë, madje asnjë nacionalist nuk mundi të shtjellonte ndonjë program konstruktiv për të tërhequr fshatarë apo të mbyste ambiciet e veta individuale. Nuk kishte asgjë t’i mbante së bashku, por me mbështetje britanike – dhe ka pasur shumë pak dëshmi reale për këtë.

Prirjet e grupeve nacionaliste për të bashkëpunuar me gjermanët, mungesa e kohezionit, mungesa e dëshirës për të luftuar, vetëm me kushtin që të mbështetet sipas premtimeve të britanikëve, shuan çdo shpresë sado të vogël për formim blloku, si dhe sulmi i divizionit të parë të LNÇ-së kundër Kupit, thjesht kur me gjermanët ai kishte ndërmend të sulmonte vetë, rrezikonin deri një luftë civile nëse Kupit do t’i jepeshin pastaj furnizime ushtarake.

Pas disa muaj lëkundjesh, kohë gjatë së cilës britanikët mbajtën oficerët e tyre pranë Kupit, duke zemëruar në këtë mënyrë FNÇ-në, që deri tani e kishte akuzuar atë për bashkëpunim të hapur me gjermanët, nga Londra u dërguan direktivat për t’i hequr Kupit të gjithë mbështetjen.

Më pas, gjithë misioni u tërhoq, si dhe oficerët pranë Gani Kryeziut, udhëheqës shqiptar në veri, i cili madje e njeh FNÇ-në dhe ka luftuar kundër gjermanëve. Kjo ka sjellë rënien e të gjithë opozitës ose opozitës potenciale kundër FNÇ-së, pasi çdo opozitë varej qoftë nga mbështetja e gjermanëve (tani në tërheqje) qoftë nga ajo e britanikëve. Kupi dhe Said Kryeziu tani janë refugjatë politikë në Itali. Gjithashtu po bëhen përpjekje për të evakuar Ganiun. Ballistët, [1] të cilët kanë qenë grup kolaboracionist, po ia mbathin me gjermanët dhe se do të vriten po u kapën.

Disa prej tyre mundën të kalojnë në anën e FNÇ-së. Rezistenca e vetme që ka mbetur është në qarkun katolik në veriperëndim të Shqipërisë rreth Shkodrës, por nuk mendohet se ata do të luftojnë kundër FNÇ-së, pasi ajo të ketë zotëruar pjesën tjetër të Shqipërisë.

Në një bisedë që pata me Abaz Kupin dje, ai ka pranuar lirisht se tani nuk ka mundësi të formojë ndonjë opozitë ndaj FNÇ-së, si forcë politike, nëse nuk ka ndërhyrje nga ana e aleatëve për të çarmatosur Ushtrinë Nacional-Çlirimtare Shqiptare dhe për të kontrolluar xhandarmërinë. Ai beson me vendosmëri se FNÇ-ja dominohet tërësisht nga komunistët dhe po merr urdhra nga Moska, kurse frymëzimin nga Tito-ja. Ai njeh vlefshmërinë e argumentit që armë t’u jepen atyre që do të vrasin gjermanë, por mendon se partizanët u janë shmangur me këmbëngulje gjermanëve kur nuk kishte asnjë rrezik real dhe që kontributi i tyre ka qenë i parëndësishëm. Prandaj, ai mendon se ka qenë politikë dritëshkurtër t’u jepeshin në dorë armë partizanëve që tani do t’i përdorin për likuidimin e të gjithë atyre që në Shqipëri shohin drejt Perëndimit dhe jo drejt Lindjes. Ai do të parapëlqente të shihte të vendosej në Ballkan një sferë influence, meqenëse ai e ndien se vetëm britanikët do jenë në gjendje ta vendosin dhe të kthejnë në pushtet klasën e tij. Ai mendon se ish-pasuesit e tij dhe fshatarët në rajonin e Shqipërisë që ai kontrollonte nuk do ta pranojnë autoritetin e FNÇ-së – ose, siç u shpreh ai, “Çdokush që ka armë”.

Konkluzioni i rëndësishëm që mund të nxirret nga biseda me Kupin dhe me ata oficerë britanikë të ndërlidhjes të cilët janë orvatur të krijonin bllokun nacionalist dhe që dështuan, thjesht është tashmë një fakt i pashmangshëm që:
1. FNÇ-ja tani zotëron gjysmën e Shqipërisë dhe së shpejti do të zotërojë të gjithën.
2. Kjo do të arrihet me dhunë të pamëshirshme, ose me përdorimin e forcës dhe eliminimin e kundërshtarëve të saj politikë. Dhe kryesisht për shkak se shumica e popullit tani e di se kohët e fundit organizata ka mbështetjen edhe të sovjetikëve edhe të britanikëve.

3. Se qeveria do të kontrollohet nga komunistët dhe do të ndjekë vijën e Titos për Ballkanin e jugut.
4. Britanikët nuk kanë ç’të bëjnë më, veçse ta njohin këtë qeveri dhe të shtiren se u pëlqen.

KËRK (KIRK)

Shënim i origjinalit:

[1] Anëtarët e Ballit Kombëtar, organizatë nacionaliste shqiptare me orientim perëndimor.

 

 

 

 

 

 

DASH: Si Forin Ofis, nuk njohim ekzekutivin partizan

 

Departamenti i Shtetit për ambasadën britanike

MEMORANDUM

Referuar memorandumit të datës 3 nëntor 1944, në të cilin ambasada britanike i referohej deklaratës së bërë më 20 [23 – “Investigim”] tetor nga z. Enver Hoxha që “Qeveria Demokratike e Shqipërisë” do të kërkojë prej Bretanjës së Madhe, Bashkimit Sovjetik e Shteteve të Bashkuara të Amerikës  njohjen e saj. Qeveria është formuar kohët e fundit në Berat. Ky [Memorandum i ambasadës britanike i datës 3 nëntor 1944 – “Investigim”] thoshte  se qeveria britanike nuk do të propozojë, në gjendjen e tanishme konfuze në Shqipëri, të pranohej një kërkese e tillë.

Departamenti i Shtetit pajtohet me pikëpamjen e qeverisë britanike se çdo kërkese për njohjen e qeverisë provizore të formuar në Berat që mund të merret në këtë kohë nuk duhet t’i akordohet [njohja]. Departamenti mendon, megjithatë, se mund të jetë një fazë në të ardhmen jo të largët, në të cilën mund të shihet e përshtatshme të merret në konsideratë dëshira për arsye praktike që të krijohet një autoritet i tillë qeverisës që de facto mund të kontrollojë vendin në relacione të tilla të cilat do të mundësonin që kjo qeveri të hapte një zyrë në Tiranë me qëllim mbrojtjen e interesave amerikanë atje dhe koordinimin e aktiviteteve të përfaqësuesve të agjencive të tjera amerikanë, të cilët mund të dërgohen në Shqipëri. Departamenti i Shtetit do të jetë i predispozuar të shqyrtojë me dashamirësi kërkesën e qeverisë shqiptare për njohjen de jure vetëm atëherë kur mund të jetë në gjendje të demonstrojë se nuk është fashiste për nga karakteri, se ajo ka vendosur autoritetin e saj në mbarë vendin, se ajo përfaqëson vullnetin e popullit dhe se është e gatshme të përmbushë detyrimet e saj ndërkombëtare.
UASHINGTON, 21 nëntor 1944.

 

 

 

 

 

 

Pengesat ndaj misioneve të aleatëve

 

Telegram i z. Aleksandër Kërk, këshilltar politik amerikan pranë Shtabit të Forcave Aleate, drejtuar Sekretarit të Shtetit

Kazerta, më 24 nëntor 1944, ora 20:00
[Marrë ora  20:07]

Jemi informuar se pas çlirimit të Tiranës nga partizanët, FNÇ-ja kontrollon rreth katër të pestat e vendit dhe ka gjasa që rezistenca aktive partizane kundër nazistëve të bjerë. Në Shqipërinë e jugut brigadat e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare po formojnë brenda tyre reparte pune për rindërtim. E kuptojmë gjithashtu se sa më shpejt që grupet partizane rezistencës të organizohen në formacione ushtarake funksionet e tyre kanë tendencë të bëhen politike dhe jo ushtarake dhe ata nuk vënë më në plan të parë luftën kundër nazistëve. Forca reale e FNÇ-së ende qëndron në Ushtrinë Nacional-Çlirimtare. Nga raportet e fundit, duket se FNÇ-ja ka adoptuar qëndrim obstruktiv ndaj misioneve aleate në Shqipëri. Po vendosen kufizime në lëvizjet e anëtarëve të këtyre misioneve dhe ata nuk janë lejuar të kontaktojnë me civilë apo ndonjë burim informacioni përveçse me shtabe partizane.

Sikurse njoftohet, kushtet në zonën e Vlorës janë shumë të kënaqshme. Në zonën e Korçës po lindin vështirësi midis partizanëve dhe civilëve shqiptarë, meqë këta të fundit nuk duket të shfaqin gatishmëri për të kryer punë në rindërtim pa pagesë dhe partizanët ende nuk janë aq të mirorganizuar të mbajnë rendin. Aktualisht në Shqipëri qarkullojnë shumë zëra lidhur me shpërndarjen e ndihmave humanitare sovjetike në Jugosllavi dhe mundësitë për furnizime të hershme të tilla në Shqipëri.
Dërguar Departamentit të Shtetit, kopje në Moskë.

KËRK (KIRK)

 

 

 

 

 

 

USA Mision në Tiranë? Seli diplomatike dhe konsullore

 

 

Memorandum i të ngarkuarit me detyrën e Sekretarit të Shtetit drejtuar Presidentit Ruzvelt (Roosevelt)

[UASHINGTON,] më 25 nëntor 1944.
Departamenti i Shtetit po mbledh në Bari disa zyrtarë që i ka në varësi për t’u marrë me  çështjet shqiptare, pasi synohet të jenë në përbërje të një misioni të vogël në Shqipëri pas çlirimit të këtij vendi. Tendenca e ngjarjeve ushtarake dhe politike në Evropën Juglindore provon se organizimi i këtij misioni do të duhet të përfundojë në një afat sa më të shkurtër.

Do të dëshironim të emërohet në krye të këtij misioni z. Xhozef Xhejkobs (Joseph E. Jacobs), zyrtar i shërbimit diplomatik i rangut I, i cili ka qenë këshilltar i legatës në Kajro për rreth katër vjet.
Meqë ky grup do të veprojë si ekuivalent i një selie të kombinuar diplomatike dhe konsullore, në pritje të rifillimit të marrëdhënieve të rregullta diplomatike, sugjerojmë që z. Xhejkobs  të ketë rangun personal të ministrit.
Nëse e miratoni [1], Departamenti i Shtetit do të vazhdojë me masat e nevojshme për emërimin e z. Xhejkobs, në mënyrë që ai të mund të vazhdojë menjëherë për në Bari, ku tashmë kërkojnë vëmendje çështje shqiptare njëfarë mase të rëndësishme.
EDUARD (EDWARD) R. STETTINIUS, JR.

Shënim i origjinalit anglisht:

[1] Presidenti e miratoi më pas këtë sugjerim dhe z. Xhejkobs (Jacobs) u informua në detaje në Zyrën e Këshilltarit politik të SHBA pranë Shtabit të Komandantit Suprem Aleat të Mesdheut dhe emërimi hyri në fuqi më 1 janar, 1945. Në një memorandum të 19 dhjetorit 1944, Shef i Divizionit për Punët e Evropës Jugore, Kevendish Kenon (Cavendish W. Cannon), shpjegonte se kjo procedurë u miratua “në mënyrë që Departamenti i Shtetit të mund të shmanget nga dhënia e arsyeve në këtë kohë ndaj hamendjeve të palëve të interesuara lidhur me qëllimet e kësaj qeverie në organizimin e misioneve të tilla”.

 

 

 

 

 

 

Kryeministri “demokrat”: Jemi me aleatët e mëdhenj

 

Nga “Deklaratë e Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, bërë përpara mbledhjes së dytë të Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë”*

23 tetor 1944

… Mbledhja e dytë historike e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë, mbajtur në qytetin e lirë të Beratit, i dha Shqipërisë Qeverinë e parë Demokratike, e cila është organi

kryesor ekzekutiv dhe urdhërdhënës dhe me anën e së cilës Këshilli Antifashist Nacional-Çlirimtar kryen funksionet e tij ekzekutive…

Qeveria, e mbështetur në funksionet e saj, deklaron përpara gjithë popullit shqiptar:

1. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të qëndrojë besnike e vendimeve të marrura prej Kongresit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Përmetit dhe Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë. Kjo qeveri do të vazhdojë gjurmat e Komitetit Antifashist.

2. Kjo qeveri ka për qëllim zgjerimin dhe vazhdimin e luftës, çlirimin e shpejtë dhe të plotë të Shqipërisë dhe mbrojtjen e indipendencës së saj.

3. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të grumbullojë të gjitha forcat e popullit shqiptar rreth pushtetit nacional-çlirimtar dhe do të forcojë pushtetin e këshillave nacional-çlirimtare.

4. Qeveria Demokratike e Shqipërisë, pas çlirimit të plotë të Shqipërisë dhe pasi të ketë stabilizuar gjendjen, do të procedojë në bërjen e zgjedhjeve të lira me mënyrë demokratike për Asamblenë Konstituente, e cila do të caktojë formën e shtetit dhe do të bëjë Statutin Themeltar të Shtetit Shqiptar.

5.  Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të rishikojë të gjitha marrëveshjet politike, ushtarake dhe ekonomike të bëra me shtetet e huaja prej regjimit të Zogut dhe do t’i prishë të gjitha ato që janë në dëm të popullit dhe të shtetit shqiptar.

6. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të sigurojë dhe do të mbrojë të gjitha të drejtat qytetare të nënshtetasit.

7. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të përpiqet ta bëjë më të ngushtë bashkëpunimin me aleatët e mëdhenj: Bretanjën e Madhe, Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si edhe me të gjithë pjesëtarët e tjerë të bllokut antifashist.

8. Qeveria Demokratike e Shqipërisë do të kërkojë prej aleatëve të mëdhenj, Bretanjës së Madhe, Bashkimit Sovjetik e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si edhe prej gjithë pjesëtarëve të bllokut antifashist, njohjen e saj si qeveri e vetme e Shqipërisë.

Në emër të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë, KRYEMINISTRI dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare të Shqipërisë Gjeneral-Kolonel Enver Hoxha.

 

*Botuar për herë të parë në broshurën “Mbledhja e dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar”, 1944

 

 

 

 

 

Eduard Stetinius

 

Eduard Stetinius-i (Edward Reilly Stettinius, Jr, 1900 -1949) ka qenë Sekretar i Shtetit nga 1 dhjetori 1944 deri më 27 qershor 1945, kur ishin Presidentë Ruzvelt-i  dhe Truman-i. Si Sekretar i Shtetit, mbikëqyri fundin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë dhe krijimin e Kombeve të Bashkuara. Ai luajti rol të madh si ndihmës i posaçëm i Presidentit në vitin 1941 deri në vitin 1943, kur u emërua nën-Sekretar i Shtetit. Pas daljes në pension të Sekretarit të Shtetit Kordell Hall (Cordell Hull) për arsye shëndetësore, Stetinius-i zuri vendin e tij. Si Sekretar i Shtetit, Stetinius-i shoqëroi Ruzvelt-in në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945. Dha dorëheqjen si Sekretar i Shtetit më 27 qershor 1945, për t’u bërë i pari ambasador i SHBA në OKB, post të cilin ai e mbajti deri kur dha dorëheqjen në qershor 1946. Pasi përfundoi karrierën qeveritare, u bë rektor i Universitetit të Virxhinias, post që e mbajti deri kur vdiq, më 31 tetor 1949.

 

 

 

 

 

Aleksandër K. Kërk

 

Aleksandër Komstok Kërk (Alexander Comstock Kirk, 1888-1979) ka qenë diplomat amerikan. Hyri në shërbimin diplomatik amerikan në vitin 1915. Shërbeu si sekretar privat i Sekretarit të Shtetit, gjatë Luftës së Parë Botërore dhe e shoqëroi në Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919. Ka qenë drejtor i buxhetit Departamentit të Shtetit për një kohë në vitet 1920. Këshilltar i ambasadës amerikane në Romë në vitin 1932, në Moskë këshilltar dhe konsull i përgjithshëm në vitin 1938. Këshilltar në Berlin në 1939, pastaj në Romë, Ministër në Egjipt 1941 për 3 vjet, i akredituar pranë qeverisë greke në mërgim, në Arabinë Saudite deri në 18 korrik 1943. U emërua përfaqësuesi i SHBA në Këshillin Konsultativ aleat në Itali, me gradën e ambasadorit më 4 prill 1944, ambasador në Itali, i pari nga të gjitha shtetet pas luftës. Dha dorëheqjen në vitin 1946. Në një raport të komisionit Makarti, më1948, kur ishte në pension, u akuzua si “homoseksual”.

 

 

 

 

 

Pallati Mbretëror i Kazertës

 

Pasi forcat aleatët avancuan në veri të Napolit, më 3 tetor 1943, qyteti u pushtua nga Regjimenti 56 i këmbësorisë britanike. Caserta ishte skena e nënshkrimit të kapitullimit të gjermanëve më 29 prill, 1945. Në “Reggia di Caserta” (Pallati Mbretëror i Kazertës) u vendos selia e Shtabit të Forcave Aleate në vitet 1944-1946. Vend ideal për një diplomat mondan si këshilltari politik amerikan Aleksandër Kërk. Ndërtimi i pallatit ka filluar në vitin 1752 për mbretin burbon Sharli VII i Napolit, i cili dha dorëheqjen për t’u bërë mbret i Spanjës. Kur përfundoi në vitin 1780, pallati kishte 1.200 dhoma, 24 apartamente shtetërore dhe një teatër mbretëror. Pallati është përdorur për xhirime në dy filma: “Star Wars” dhe “Mission Impossible” III. Ishte pallati më i madh dhe një nga ndërtesat më të mëdha të ndërtuara në Evropë gjatë shekullit të 18. Në vitin 1997, u fut në listën e  Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, me motivacionin: “Këngë mjellmë e artit spektakolar e barok, nga ku ka marrë të gjitha karakteristikat e nevojshme për të krijuar iluzione të hapësirës me shumë drejtime (multidirektionale)”.