E hene, 18 tetor 2010

BASKETBOLL - Rregullat e reja të sezonit

Sezoni i ri i basketbollit është në prag, më 22 dhe 23 tetor do të luhen ndeshjet e javës së parë të kampionatit kombëtar. Paralelisht me federimin e skuadrave, Federata Shqiptare e Basketbollit ka njoftuar të gjitha klubet sportive me ndryshimet e reja në rregulloren e lojës së koshit. Ato janë miratuar që dy vjet më parë nga Federata Ndërkombëtare e Basketbollit (FIBA), por kanë hyrë në fuqi vetëm më 1 tetor të këtij viti. FIBA kërkon që të adaptojë më të mirat e basketbollit profesionist amerikan, NBA, për t’i vënë ato në praktikë edhe në basketbollin ndërkombëtar, veçanërisht atë europian. Për këtë arsye, do të aplikohen disa rregulla të reja të lojës, për të cilat FSHB-ja ka zhvilluar disa ditë më parë edhe një seminar me gjyqtarët dhe trajnerë të ndryshëm klubesh, për t’i sqaruar ata në detaje dhe për të evituar problemet gjatë ndeshjeve të kampionatit.

TRIPIKESHI – Një nga rregullat kryesore që ndryshon në lojën e basketbollit, është ajo e zonës së gjuajtjeve për tri pikë, shumë e preferuar nga lojtarët. Ajo gjithnjë ka qenë një aftësi për lojtarë të caktuar, numri i të cilëve do të bëhet edhe më i vogël pas miratimit të distancës së re.

Gjysmërrethi i gjuajtjeve nga loja për tri pikë, është zgjatur në një rreze prej 6.75 m, matur kjo nga një pikë e caktuar në fushë, poshtë qendrës së koshit. Pra, distanca e gjuajtjeve për tri pikë është rritur me gjysmë metri. Edhe pse hapësira e fushës në gjuajtjet për tri pikë është zvogëluar, rregullat përkatëse dhe interpretimet nuk kanë ndryshuar.

GJUAJTJET E LIRA – Ndryshimi kryesor i aprovuar në vitin 2008 dhe që do të zbatohet këtë sezon, është ai përmasave dhe i formës së zonës së veçantë. Trapezi unik për FIBA-n, funksional për shumë vite, do të zëvendësohet me një zonë të kufizuar në formën e drejtkëndëshit, të ngjashëm me atë të fushave në NBA. Edhe pse forma e zonës së veçantë ndryshon, interpretimet mbeten njësoj, sidomos për kohën 3 sekonda të qëndrimit brenda tij nga lojtarët e skuadrës kundërshtare.

RIVENIA – Një ndryshim tjetër i rëndësishëm për t’u implementuar në 2010-n, është ai që zbatohet gjatë pushimit të marrë në dy minutat e fundit të periodës së 4-t, ose të çdo periode shtesë, kërkuar nga skuadra që ka të drejtën e zotërimit të topit për rivënie nga vijat kufizuese. Më parë, rivënia ekzekutohej në zgjatim të vijës së mesit, përballë tavolinës së gjyqtarisë.

Me rregullat e reja, janë shtuar dy vijëzime të reja të fushës. Secila vijë është përpendikulare me vijën anësore nga ana e jashtme e fushës. Rivënia tani do të kryhet nga vija përkatëse e rivënies, në pjesën e përparme të fushës së skuadrës që ka të drejtën e rivënies.

24-SEKONDËSHI – Nëse loja ndërpritet për shkak të ndonjë gabimi të shkaktuar nga skuadra që nuk zotëron topin, ose loja ndalon për arsye që ka të bëjë me skuadrën që nuk zotëron topin, rivënia e topit do t’i jepet ekipit që kishte topin në zotërim. Në rast se rivënia duhet të realizohet në pjesën e pasme të fushës, 24-sekondëshi do të nisë sërish nga e para.

Nëse rivënia duhet të bëhet në pjesën e përparme të fushës dhe kanë mbetur 14 sekonda apo më shumë që nga koha e ndërprerjes së lojës, 24-sekondëshi nuk ndryshon, por do të vazhdojë aty ku ka ndaluar. Në rast se rivënia në lojë do të bëhet në pjesën e përparme të fushës dhe kanë mbetur 13 sekonda apo me pak nga sulmi, atëherë në 24-sekondëshin duhet të vendosen vetëm 14 sekonda për të përfunduar aksionin.