E hene, 4 tetor 2010

Buka, pse po rritet çmimi

Informaliteti, skandal me hetimin në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës. Anëtari i Komisionit të Konkurrencës Koço Broka akuzon sekretariatin si trupë joeficiente dhe subjektive. Menaxhuesit kalojnë në fyerje, eliminojnë dhe dokumentacionin përkatës. Grupet e punës i shmangen pasqyrimit transparent të veprimtarisë së tyre. Shqetësuese dukuria se pa prova dhe fakte mund të pretendohet për marrëveshje të ndaluar. Tautologjia: në vend të shprehjes së qartë ndaj një marrëveshjeje të ndaluar, thjesht vetëm sa thuhet për “pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës në treg”.

Nga Thanas Mustaqi

Vetëm 15 mijë banorë të tre qyteteve të qarkut të Korcës, “kryeqytetit”, Kolonjës dhe Bilishtit blejnë bukë, duke u nisur nga konstatimi i Komisionit të Konkurrencës se “madhësia totale e tregut për vitin 2009 ka një xhiro rreth 82 milionë lekë”. Këtë llogaritje e ka bërë anëtari i Komisionit të Konkurrencës Koço Broka, që nxjerr në pah jo vetëm nivelin e lartë të informalitetit në tregun e prodhimit dhe shitjes së bukës, por edhe punën shkel e shko të grupeve të punës së këtij organi të lartë në varësi të Kuvendit të Shqipërisë. Broka akuzon sekretariatin e Komisionit të Konkurrencës si trupë joeficiente dhe subjektive. Në mendimin e pakicës, ekonomisti i njohur ka kundërshtuar vendimin e Komisionit te Konkurrencës nr. 146, datë 17 qershor 2010 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës”. Sipas Brokës, menaxhuesit e sekretariatit kalojnë në fyerje, eliminojnë dhe dokumentacionin përkatës. Grupet e punës i shmangen pasqyrimit transparent të veprimtarisë së tyre. Për anëtarin disident të Komisionit të Konkurrencës është shqetësuese dukuria se, pa prova dhe fakte, mund të pretendohet për marrëveshje të ndaluar. Broka nxjerr në pah tautologjinë, ku, në vend të shprehjes së qartë ndaj një marrëveshjeje të ndaluar, thjesht vetëm sa thuhet për “pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës në treg”!

“FUSHË ME LULE”

Para disa ditësh, Autoriteti i Konkurrencës, organ që zgjidhet dhe raporton vetëm para Kuvendit të Shqipërisë, nxori një njoftim për mediet lidhur me disa shqetësime për mirëfunksionimin e tregut të prodhimit dhe tregtimit të bukës në Qarkun e Korçës. Ky institucion e paraqet gjendjen “fushë me lule”. Sipas këtij njoftimi, Autoriteti i Konkurrencës, bazuar në informacionin e marr nga media mbi rritjen e çmimit të bukës të njoftuar në emër të shoqatës së prodhuesve të bukës të qarkut të Korçës, vendosi për hapjen e hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës, për të vërtetuar ekzistencën ose jo të një marrëveshjeje të ndaluar në kuptim të Ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës”. Në vazhdim të procedurave, inspektorët e autoritetit realizuan inspektime të menjëhershme në terren. Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës organizoi një seancë me prodhuesit kryesorë të bukës në këtë qark. Organizimi i seancës u bë me qëllim identifikimin e faktorëve që ndikojnë në nivelin e konkurrencës në tregun përkatës objekt hetimi. Nga inspektimet dhe sipas deklarimeve të prodhuesve të bukës masive, që morën pjesë në seancë, u konstatua se nuk ekziston një shoqatë vetëm për bukëpjekësit, por ka një shoqatë për bizneset e vogla. Gjithashtu, çmimi i këtij produkti në raport me peshën, është më i ulët i krahasuar me rrethet e tjera te Shqipërisë. Pjesëmarrësit deklaruan se, pas inspektimeve dhe njohjes me ligjin për mbrojtjen e konkurrencës, u angazhuan të veprojnë në mënyrë të pavarur në treg. Ndërmarrjet janë treguar shumë bashkëpunuese me Autoritetin e Konkurrencës në realizimin e procedurës hetimore.

NGA PRECEDENT NË DUKURI

Anëtari i Komisionit të Konkurrencës, Koço Broka, ka shprehur një mendim të vetin, atë të pakicës lidhur me Vendimin nr. 146, datë 17 qershor 2010 “Për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës”. Broka thotë se “kam mbajtur qëndrim kundër si lidhur me argumentet hipotetike të pjesës arsyetuese të tij, ashtu dhe lidhur me piken 2 të dispozitivit te këtij vendimi.

Lidhur me hetimin e këtij tregu, jam shprehur për mbylljen e tij dhe kam përshëndetur qëndrimin bashkëpunues të ndërmarrjeve të ardhura në seancën konsultative me Autoritetin e Konkurrencës. Për Brokën, grupi i punës nuk ka qenë në gjendje t’i japë përgjigje shqetësimit të komisionerëve dhe kryesisht shqetësimit të tij lidhur me problematikën e këtij tregu, përfshirë informalitetin. Anëtari disident thotë se “shqetësues është krijimi i precedentit se, pa prova dhe fakte, pretendohet për një marrëveshje të ndaluar, duke i shndërruar grupet e punës dhe veprimtarinë e sekretariatit të Konkurrencës në një trupë sa joeficente aq dhe subjektive. Këto qëndrime, për fat të keq, nga qëndrime të rastit, janë duke u bërë një dukuri e vazhdueshme. Ky shqetësim imi nuk është parë i arsyeshëm të merret në konsideratë nga anëtarët e tjerë të komisionit, edhe kur menaxhues të sekretariatit kalojnë në fyerje, duke eliminuar dhe dokumentacionin përkatës që duhej të pasqyronte dhe zbardhte atë”.

FITIMI, MË I VOGËL SE PAGA VJETORE NETO E ÇDO KOMISIONERI

Broka argumenton se grupet e punës i shmangen pasqyrimit transparent të veprimtarisë së tyre, duke u paraqitur vetëm në bllok, pa lënë gjurmë në qëndrimin individual të secilit anëtar të grupit hetimor. Në vend të bëhet një diagnozë objektive e tregut, duke zbuluar defektet reale të tij, në raport, por dhe qëndrimin përfundimtar, insistohet në “marrëveshja e ndaluar”, pa sjellë prova dhe fakte ose pa interpretuar në mënyrë objektive të dhënat që gjenden në dosjen hetimore”. Broka përmend se tregu i bukës në qarkun e Korçës, nga vetë natyra e tij, dhe numri i subjekteve që marrin pjesë, është një treg që i përket strukturës së tregut me konkurrencë të plotë, dhe nga ndërmarrjet e marra nën hetim, vetëm 2 ndërmarrje kishin për vitin 2009 një xhiro zyrtare mbi 8 milionë lekë, ndërsa gjithë të tjerat me pak se 5 milionë lekë xhiro. Ndër këto 2 ndërmarrje njëra përjashtohet nga hetimi nga grupi i punës, ndërkohë që ndërmarrja tjetër kishte një fitim zyrtar më të vogël se paga vjetore neto e çdo komisioneri apo e drejtuesve kryesorë të sekretariatit të Autoritetit. Broka ironizon: “Ky është “atakimi” i monopoleve, oligopoleve apo ndërmarrjeve me fuqi tregu që sjellin pengimin, kufizimin dhe shtrembërimin e konkurrencës në treg, nga ana e grupit të punës dhe sekretariatit. Pretendohet për “marrëveshje të ndaluar” pa dhënë listën konkrete të ndërmarrjeve që kanë bërë marrëveshjen dhe ato që nuk janë të përfshira në marrëveshje”.

TAUTOLOGJIA

Sipas anëtarit të Komisionit të Konkurrencës, ka defekte serioze të praktikave të konkurrencës së pandershme dhe informalitetit në këtë treg, por nuk në raport nuk ka prova që vërtetojnë një praktikë të bashkërenduar-marrëveshje të ndaluar. Për Brokën, “nëse kolegët janë të bindur për provat e grupit të punës për marrëveshje të ndaluar, në përputhje me kërkesat e ligjit, Komisioni duhet të shprehej në këtë vendim për ndalimin e kësaj marrëveshjeje të ndaluar. Është tautologji që, në vend të shprehjes së qartë ndaj një marrëveshjeje të ndaluar, të shprehesh thjesht vetëm për “pranimin e angazhimeve të palëve për rivendosjen e konkurrencës në treg”.

SHIFËR KOTI

Koço Broka citon paragrafin e parë të pjesës konstatuese të vendimit të Komisionit se “madhësia totale e tregut për vitin 2009 ka një xhiro rreth 82 milionë lekë”. Në variantin e parë të raportit të grupit të punës flitet për një xhiro rreth 68 milionë lekë. Nisur nga ky fakt, me një përllogaritje të thjeshtë, më rezulton se paskemi të bëjmë me një popullsi të këtij tregu gjeografik objekt-hetimi prej rreth 13.000 banorësh ose 15.000, që është tejet e pasaktë po të kemi parasysh se bëhet fjalë për qytetin e Korçës, Maliqit dhe në një pjesë rurale si Pojan, Zvezdë, Bulgarec, Pirg, Libonik”. Broka arrin në konkluzionin se jemi para rastit të një tregu me informalitet të theksuar, të një tregu, ku ushtrohet një konkurrencë e pandershme, por që eliminimi i së cilës kërkon që Komisioni i Konkurrencës të bashkëpunojë me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, apo drejtoritë rajonale të saj, bashkitë dhe komunat përkatëse ku ushtrojnë veprimtarinë këto firma.

JA PSE NGRIHET ÇMIMI I BUKËS

Grupi i punës nuk ka pasqyruar në raport, në trajtë shteruese, të gjithë informacionin e ndodhur në të. Mbështetur edhe në dosjen hetimore dhe në seancën konsultative me disa nga ndërmarrjet në hetim, për anëtarin e Komisionit, ngritja e çmimit të bukës masive në qytetin e Korçës dhe fshatra rreth tij, ka ardhur si rezultat i disa faktorëve. Këta faktorë nuk janë unikë dhe me shkallë të njëjtë, si për të gjitha ndërmarrjet, që i janë nënshtruar hetimit, por edhe për grupimin ku ka hasur rritje të çmimit. Ndërmarrjet nën hetim, qoftë ato që kanë rritur çmimin, kanë dallime jo të vogla si për sa i përket madhësisë, teknologjisë, strukturës së kostos, për rrjedhojë, faktorët dhe masa e tyre që kanë përcaktuar ndryshimin e kostos dhe të çmimit, është e ndryshme. Në varësi të këtyre kushteve, peshës së bukës, për disa ka pasur ndikim prioritar rritja e çmimit të energjisë elektrike, karburantit. Për disa të tjera ka ndikuar rritja e çmimit të gazit të lëngët nga 67 lekë për kg në nëntor 2009, në 93 lekë për kg në mars-prill 2010. Një faktor tjetër është kalimi nga biznes i vogël pa TVSH në biznes që paguan TVSH. Masat shtrënguese të administratës tatimore të këtij qarku për ta futur edhe këtë treg në hullinë e formalitetit dhe të kanaleve të kontrolluara nga shteti (sigurimet shoqërore), shoqërohet me një ngritje të çmimit, që nuk është gjë tjetër veçse një kosto normale që shoqëron formalizimin e tregjeve me dukuri të theksuara informaliteti. Një ndikim në rritjen e çmimit të bukës në rrethin e Korçës pati deklarata në emër të shoqatës së bukëpjekësve në rrethin e Korçës në datën 17 maj. Përveç gazetave të ditës së nesërme, nga grupi hetimor nuk janë siguruar prova dhe fakte se kush e ka bërë këtë deklaratë për të mbajtur një qëndrim ndaj deklaratës abuzive në emër të shoqatës së bukës. Qëndrimi i Komisionit të Konkurrencës ndaj kësaj deklarate, është i domosdoshëm. Ka pasaktësi të tilla si ato në përcaktimin e tregut gjeografik, ku përcaktohet se hetimi shtrihet në qarkun e Korçës. Kur jepet struktura e tregut të ndërmarrjeve të prodhimit dhe tregtimit të bukës në qarkun e Korçës, listohen vetëm ndërmarrje që operojnë në bashkinë e Korçës, Maliqit dhe disa komuna rreth tyre.

Koço Broka

Anëtar i Komisionit të Konkurrencës që nga data 13 korrik 2006. Diplomuar për ekonomi (1976) në Universitetin e Tiranës. I specializuar kryesisht për çështjet makroekonomike lidhur me politikat financiare; politikat sociale të lidhura kryesisht me punësimin dhe reduktimin e varfërisë; politikat e administrimit publik, kryesisht për çështjet e buxhetit të shtetit; politikat e tregtisë së jashtme- zhvillimi i biznesit; politikat e zhvillimit rural në rrafshin makro dhe mikro. Karriera profesionale: këshilltar i Ministrit të Shtetit për Zhvillimin dhe Bashkëpunimin Ekonomik, përgjegjës sektori i politikave tregtare në Ministrisë e Ekonomisë dhe Tregtisë dhe specialist i ndërtimit institucional në Agjencinë e Zhvillimit të Zonave Malore. Autor i artikujve të shumtë në revista e gazeta ekonomike për problemet social–ekonomike. Një sërë trajnimesh në fushën e ekonomisë, si në makroekonomi, kërkim tregjesh, tregti e jashtme, investime publike etj. Ai ka një përvojë të gjatë pedagogjike në lëndët e “Ekonomisë Konkrete” dhe “Menaxhimin e Burimeve Njerëzore”

8-MUJORI

Rreth 68 mijë tonë grurë më shumë se vjet

Më 17 shtator në kalatën 5 të portit detar shkarkoheshin 1377 tonë grurë nga anija tregtare “Frojdi 2”, porosi e grosistëve shqiptarë të miellit. Megjithëse importet në portin e Durrësit kanë pësuar ulje, sasia e grurit të përpunuar është rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, thotë Autoriteti Portual Durrës. Vetëm në gusht në port janë shkarkuar mbi 50 mijë tonë grurë, ndërsa mesatarja mujore deri në korrik arrinte vetëm në 21 mijë tonë.

Sipas statistikave të Autoritetit portual në periudhën janar-gusht 2010 në portin detar janë shkarkuar 194.848 tonë grurë gjithsej, nga 127,150 tonë në të njëjtën periudhë të vitit 2009, me një diferencë rreth 68 mijë tonësh. Kështu, shifrat e drithit (grurë rinfuzo) që ka mbërritur me anije gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë 53 për qind më të larta se sa e njejta periudhë e vitit 2009.

Më 1 tetor në portin e Durrësit po shkarkoheshin dy anije me grurë “Riad  Ahmedov” me 6100 tonë dhe “Nakhchivan” me 6750 tonë. Në radën e jashtme qëndronte në pritje për shkarkim anija “Spadina” me 2615 tonë. Ndërkaq më datën 2 dhe 3 tetor parashikoheshin të futeshin në kalata dhe dy anije të tjera: “M.Yuzvovich” me 5000 tonë dhe “Frojdi 2” me 1370 tonë. Gjithsej vetëm në 3 ditë të muajit të dhjetë të vitit në port kryesor të vendit përpunohen 5 anije me rreth 22 mijë tonë grurë.

Firmat që mbajnë me bukë shqiptarët

Ndërmarrje importuese të grurit për bukë

“Alagro” Shpk, Tiranë.

“Alcor – Grain” Shpk, Durrës.

“GLAN” Shpk, Xhafzotaj, Durrës.

“IAM” Shpk, Xhafzotaj, Durrës.

“Shabani” Shpk, Portëz, Fier.

Ndërmarrjet importuese të grurit dhe prodhuese të miellit

“Alb Mines Investment” Shpk, Muçaj, Vorë.

“Atlas” Sha, Yrshek, Tiranë.

“Bloja” Sha, Tiranë.

“Miell Tirana” Sha, Tiranë

“Italy Agrofood” Shpk, Fier. “Mielli” Sha Tiranë.

“Vllaznimi B” Shpk, Kavajë.

 

Ndërmarrje vetëm prodhuese të miellit

 

“Abduramani” Shpk, Topojë, Fier.

“Euromill Erina” Shpk, Elbasan.

“ONIR” Shpk, Elbasan.

“Skraqi” Shpk, Elbasan.

 

Burimi: Autoriteti i Konkurrencës

KOMENT

53 %  më tepër grurë, por 20-40 % më shtrenjtë buka

Në Shqipëri përnbysen dhe rregullat më elementare të biznesit. Vetëm gjatë 8-mujorit të këtij viti, para ngritjes së parlajmëruar të çmimit të grurit pas rënies së zjarreve në stepat ruse, nëpërmjet portit të Durrësit u importuan 68 mijë tonë grurë rinfuzo më tepër se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, ose 53 për qind tejkalim. Kjo do të thotë se, nëse sipas rregullave të kërkesë-ofertës, nuk do të kishte ulje çmimi në shitje nga grosistët për prodhuesit e miellit, të paktën, të mos lëvizeshin. Por ndodhi çudia. Çmimet e bukës u rriten me 20-40 për qind.

U bë pak zhurmë në media. Dolën me ndonjë deklaratë Autoriteti i Konkurrencës apo drejtoria e Tatimeve, gjoja se do të vinin rregull. Por sundoi arbitrariteti në kurriz të konsumatorit, duke goditur më rëndë shtresat më të varfra të popullsisë. Madje, Autoriteti i Konkurrencës bën maskarada për të mbuluar problemet që kanë dalë dhe në qarkun e Korçës, në zonën ku është deputet ministri i Financave, Ridvan Bode. Sikurse del nga opinioni i pakicës në Autoritetin e Konkuurencës, në tre qytete (Korçë, Bilisht, Ersekë) vetëm 15 mijë familje blejnë bukë. Kështu, informaliteti, rrumpalla në administratë, korrupsioni nuk krijojnë kushte për të marrë vesh se ç’ndodh në realitet në tregun e grurë-miell-bukës. Por abuzimi duket sheshit. Opozita pretendon se ka monopole, oligopole. Opozita ka bërë publike fakte, që duheshin verifikuar apo hedhur poshtë. Organet kompetente kanë heshtur. OJQ-të për mbrojtjen e konsumatorit kanë heshtur.

Nga burimet të vetë Autoritetit të Konkurrencës ka dalë se xhiroja vjetore në “tregun e importit të grurit” dhe “tregun e prodhimit dhe shitjes së miellit për bukë” është mbi 80 milionë euro. “Tregu i importit të grurit” është një treg “shumë i përqendruar”, “oligopolistik”, në të cilin 5 kompani zotërojnë 85.3 për qind të tij. “Tregu prodhimit dhe i shitjes së grurit për bukë” është një treg “shumë i përqëndruar”, “oligopolistik”, në të cilin 3 kompani zotërojnë 90 për qind të tregut. Rezulton e faktuar se 5 kompani të mëdha janë të integruara vertikalisht në “tregun e importit e grurit” dhe “tregun e e prodhimit e shitjes së miellit”. Si rregull, integrimi vertikal çon në uljen e kostove, rritjen e efiçencës ekonomike e për pasojë në uljen e çmimeve. Rezulton e provuar nga analiza në treg, se çmimet e shitjes së miellit nga këto ndërmarrje janë të larta. Eficenca e përdorimit të burimeve ekonomike, integrimit të ndërmarrjeve, ka sjellë përfitime thjesht për kompanitë dhe ka ngritur barriera për hyrje të reja konkurruese në treg. Rezulton e provuar ekzistenca e një “marrëveshje të ndaluar”, për fiksimin e çmimeve mes dy kompanive të cilat zotërojnë mbi 50 për qind të tregut; kjo gjë ka sjellë rritje te çmimeve dhe mbajtje të tyre në nivele të larta. Në njërën prej këtyre kompanive, Qeveria, përmes Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, është bashkaksionare. Kjo situatë ka bërë që tregu oligopolistik të garantojë përfitime maksimale, abuzive për kompanitë në treg, si dhe çmime të larta, cilësi shpesh të ulët të produkteve për konsumatorët.

Ndërkaq, pa u rënë më shumë se ç’duhet në qafë monopoleve, evidentohen dhe një sërë shkaqesh të tjera që ndikojnë në rritjen e çmimit të bukës, sikurse janë barra fiskale dhe lëndët djegëse dhe energjia elektrike. Gjithsesi, ende qeveria dhe organet në varësi të saj nuk kanë qëndrim zyrtar dhe nuk kanë paraqitur strategji për të dalë nga kjo gjendje e paëlqyeshme.

OPINION

Grosistët: Nuk ka pozicion monopolist

Nga Murat Kloboçishta*

Me shqetësim të madh po ndjekim sensibilizimin që po i bëhet opinionit publik nga disa media elektronike lidhur me ngritjen e çmimit të bukës në treg. Ne, si Union i Tregtarëve Agroushqimorë, jemi shumë të shqetësuar dhe të ofenduar nga trajtimi që u bëhet bizneseve të prodhimit të miellit dhe prodhuesve të bukës për gjoja “pozicion monopolist në treg” apo “abuzime me çmimin e shitjes së miellit”.

Dëshirojmë të bëjmë me dije opinionin publik që falë kontributit të bizneseve që operojnë në sektorin e prodhimit të miellit, gjatë këtyre 15 vjetëve të fundit, të cilët kanë bërë investime të fuqishme dhe shumë moderne në teknologjinë e prodhimit të miellit ushqimor, është bërë e mundur që në Shqipëri të mbahet çmimi më i ulët për 1 kg miell dhe për rrjedhojë dhe për 1 kg bukë, jo vetëm në krahasim me vendet evropiane, por edhe me vendet fqinje, si Kosova, Maqedonia, Mali i Zi etj. Gjithashtu, prodhuesit e miellit kanë dhënë dhe po japin një kontribut të madh lidhur me zhvillimin e bujqësisë, duke e blerë të gjithë prodhimin e grurit vendas. Nga analiza e nevojave të tregut të brendshëm, prodhimi vendas i grurit mbulon vetëm 10-15 për qind të nevojave për grurë, ndërsa sasinë tjetër të grurit, prodhuesit e miellit janë të detyruar që ta blejnë në tregjet ndërkombëtare, duke iu nënshtruar ecurisë së bursës së drithërave.

Vetëm gjatë këtyre 3 javëve të fundit (korrik-gusht – “Investigim”), çmimi në bursë i grurit është rritur me 100-150 $ USA/ton ose rreth 70-75 për qind, ndërsa çmimi i miellit nga prodhuesit vendas është rritur vetëm me 15-20 për qind, duke amortizuar në mënyrë të ndjeshme rritjen e çmimit të grurit në tregun e bursës, pasi kanë shfrytëzuar sasinë gjendje të miellit që kanë pasur. Nga parashikimet e prodhimit botëror të grurit për vitin 2010 pritet një rënie e tij në masën 8-10 për qind në krahasim me vitin 2009, gjë e cila do të reflektohet edhe në çmimin e shitjes në bursë të grurit.

Lidhur me deklarimet për “pozicion monopol” të prodhuesve të miellit, bëjmë me dije opinionin publik që në kushtet e konkurrencës së lirë dhe të funksionimit të një tregu global rajonal e më gjerë nuk mund të flitet më për një monopolizim të tregut të miellit, pasi prodhuesit e grurit, si Serbia, Bullgaria etj. janë shumë afër.

Gjithashtu, theksojmë edhe faktin që gjatë këtyre 15 viteve të fundit, falë biznesmenëve të prodhimit të miellit, në Shqipëri çmimi i shitjes së bukës është mbajtur konstant në nivelin e 60-80 lekë/kg, ndonëse janë rritur shumë shpenzimet për tatime, paga, energji, sigurime shoqërore, teknologji prodhimi etj.

*Kryetar i Unionit të Tregtarëve Agroushqimorë

BUKA

Jo vetëm ushqim, por edhe kulturë

Në shumë shtete, për më shumë se gjysmën e popullsisë, buka përbën ushqimin kryesor. Në shtetet e pasura, ka një llojshmëri më të madhe bukësh. Në to ajo i jep njeriut më pak se 15 për qind të kalorive të marra. Edhe pse në sasi të kufizuar, buka përmban 20 për qind proteina, 26 për qind tiaminë (vitaminë B1), 24 për qind niacinë, 14 për qind riboflavinë (vitaminë B2), 34 për qind hekur dhe 17 për qind kalcium, secili prej këtyre është element bazë ushqimor. Në disa vende drithërat e bukës përbëjnë gjysmën e sasisë ushqimore të konsumit për frymë në ditë.

Pavarësisht nga koha dhe vendi, buka dhe drithërat kanë qenë dhe akoma do të jenë një simbol i jetës dhe i mirëqenies. Myslimanët kanë një thënie: “Ti mund të shkelësh në Kuran për të marrë bukën, por ti nuk duhet të shkelësh mbi bukë për të marrë Kuranin.” Nga ana tjetër, kultura kristiane i ka dhënë bukës një kuptim simbolik. Buka është menduar si e shenjtë dhe ishte e ndaluar të ushqeje me të kafshët: sipas traditës, ajo bukë duhet të ndahet dhe jo të pritet me thikë.