1948, lideri shqiptar në Konferencën e Ministrave të Jashtëm komunistë në Varshavë. Luk tejet perëndimor për të qenë lindor

 

 

Në foto: Enver Hoxha, me pamje plejboji, pasi ka mbërritur në aeroportin e Varshavës më 22 qershor 1948, për të marrë pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm komunistë. /Botohet për herë të parë në shtypin shqiptar nga “Investigim”-i. Marrë nga një ankand on-line/.

 

Pamje e jashtme tejet perëndimore për të qenë udhëheqës i një shteti të bllokut lindor, kjo ishte përshtypja e gazetarëve të huaj për 40-vjeçarin Enver Hoxha. Agjencitë e lajmeve kanë fiksuar në aeroportin e Varshavës mbërritjen e Kryeministrit, ministrit të Punëve të Jashtme, Ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, sekretar i përgjithshëm i PKSH, gjeneral-kolonel Enver Hoxhës të veshur civil. Ai binte në sy për kostumin me ngjyrë të çeltë, kravatën ku ishte stampuar një zambak i bardhë dhe borsalinën po me ngjyrë të çeltë. Të jepte përshtypjen e një plejboji (playboy) që vinte për aventura në kryeqytetin polak. Por Enver Hoxha do të merrte pjesë në Konferencën e Varshavës të vitit 1948, një takim i Ministrave të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Bullgarisë, Hungarisë, Polonisë, BRSS, Çekosllovakisë dhe Jugosllavisë dhe ku në sallë do të paraqitej me kostum të errët me një shami të bardhë në xhepin e sipërm, por me të njëjtën kravatë. Ishte më karizmatiku i këtij tubimi të shefave të diplomacisë së tetë vendeve të bllokut lindor. Kjo ngjarje ishte e vetmja vizitë e Enver Hoxhës në Poloni.

Konferenca u mbajt më 23-24 qershor. Ajo shqyrtoi çështjet që dolën nga Konferenca e Londrës vitit 1948, ku fuqitë perëndimore miratuan një rezolutë që synonte dhënien fund të mekanizmit të kontrollit katër-palësh në Gjermani. Pjesëmarrësit në konferencën e Varshavës i konsideruan paligjshme vendimet e Konferencës së Londrës dhe theksuan nevojën për respektimin e rreptë të marrëveshjeve të Potsdamit dhe atyre të tjera të aleatëve mbi Gjermaninë. Ata propozuan përfundimin e demilitarizimit të Gjermanisë, vendosjen e një afati të përcaktuar të kontrollit katër-palësh mbi industrinë e rëndë të Ruhr-it, formimin e një qeverie demokratike përkohshme dhe paqedashës pan-gjermane me përfaqësues të partive dhe organizatave demokratike, përfundimin e një pakti paqeje me Gjermaninë, etj.

Thanas Mustaqi