E hene, 22 nentor 2010

Faton Toski: Në fillim kombëtarja kosovare

Mesfushori 23-vjeçar që luan me Bochum thotë se më pas vjen Shqipëria e Gjermania në dëshirën për të veshur fanellën e përfaqësueses.

Ditë pas dite, futbollistët kosovarë që luajnë në ekipet evropiane, po e shfaqin qartë dëshirën e tyre që në të ardhmen të luajnë për përfaqësuesen e Kosovës. Njëri prej tyre është edhe mesfushori Faton Toski, i cili në të kaluarën ishte pjesë e ekipit U-19 të Gjermanisë. 23 vjeçari, në një intervistë për uebfaqen zyrtare të klubit të tij Bochum, vfl-bochum.de, e ka zbuluar dëshiron e tij që të luajë për shtetin më të ri në botë, përpara dy opsioneve të tjera, Gjermanisë dhe Shqipërisë. “I kam shumë borxh Gjermanisë, por pjesa më e madhe e familjes sime gjendet ende në Kosovë. Është e qartë se zemra ime rrah për Kosovën”, deklaroi futbollisti me prejardhje nga Gjilani. Tash, gjithçka varet nga pranimi sa më i shpejt i Kosovës në UEFA dhe në FIFA. “Nëse kjo nuk ndodh, atëherë do të mund ta imagjinoja një angazhim me ekipin kombëtar të Shqipërisë”, vazhdoi Toski, i cili e ka provuar veten edhe në muzikë. Ish futbollisti i Eintracht Frankfurt, i rritur me një miks-kulturë: prejardhje shqiptare dhe i rritur në Gjermani, tregon se me futboll ka filluar të luajë në rrugë, ku mendon se ka mësuar shumë nga ky sport. Ai shton se e kishte pranuar me kënaqësi ftesën e trajnerit Horst Hrubesch, për ta veshur fanellën e ekipit U-19 të Gjermanisë. Toski, i cili debutoi me Frankfurtin si 17 vjeç në Bundesligë, thotë se gjatë verës kishte vlerësuar se ishte vendimi i duhur që të largohej nga ky klub. Ai tash jeton në Ëitten-Buchholz, të cilin e konsideron një vend mjaft të bukur. Toski, i lindur në shkurt të vitit 1987, ishte transferuar me familje në Gjermani në vitin 1992. si 6 vjeç, ai ishte regjistruar në një klub futbolli. “Në fillim nuk kam luajtur për ekipin e të rinjve të Frankfurt, por në TuS Makkabi Frankfurt. Por, aty kam zhvilluar pak ndeshje dhe më pas kam shkuar në Frankfurt”, kujton futbollisti i Bochum. Në ekipin kuq e zi i ka kaluar të gjitha kategoritë, para se të debutonte me profesionistët. Kjo ka ndodhur më 12 maj 2007, në fitoren e Frankfurtit 2:1 ndaj Ëerder Bremen. “Kam luajtur në 7 minutat e fundit”, thotë Toski, i cili pas një jave kishte luajtur në ndeshjen e fundit të sezonit kundër Hertha Berlin. Golin e parë në Bundesliga e kishte realizuar në sezonin 2007-2008, në barazimin 2:2 ndaj Schalkes. Gjatë periudhës sa qëndroi në Frankfurt, Toski nuk kishte minutazh sa duhet. Pas bisedave që pati me udhëheqësit e Vfl Bochum, u bind nga ta që t’i bashkohej bashkëkombësit të tij, Mërgim Mavraj. Toski e pranon se në fillim të eksperiencës së tij me Bochum hasi në vështirësi, por ndihet i lumtur që iu bashkua këtij ekipi.