CaptureNë mjediset e Qendrës së Artit Sigal në Durrës,  u zhvillua një tryezë – dialog mbi librin e ri të studiuesit dhe shkrimtarit Enton Bido. Ai titullohet “Nga tradita te bashkëkohësia” dhe përfshin rreth 20 kritika dhe ese letrare dhe disa shkrime publicistike. Ato autori i ka botuar përgjatë 15-16 viteve në periodikët e specializuar kritikë, apo shtypin letrar dhe trajtojnë vepra, autorë dhe fenomene të letërsisë shqiptare. Objekt i studimit përfshin periudhën e viteve ’30, traditën moderne të kësaj letërsie, deri autorë të viteve ‘70 si Kadare, apo të sotëm si  L.Lleshanaku, B.Mustafaj, B.Shehu, etj. Në njërin nga kapitujt trajtohen proza si “Vjeshta e Xheladin beut” e Kutelit,” Kumbulla përtej murit”, më tej “Nata me hënë” e Kadaresë, “Fëmijët e natyrës” të L.Lleshanakut, romanet e autorëve bashkëkohës , etj. Në kapitullin “In memoriam” përkujtohen poeti me famë Ali Podrimja dhe poeti dhe përkthyesi i mirënjohur Perikli Jorgoni. Në fund të këtij botimi me mjaft vlera dhe risi përfshihet shkrimi për monografinë rreth Bibliotekës Publike të Prishtinës nga Sylejman Pireva.

Të ftuar në panel ishin disa nga autorët e analizuar si Viktor Canosinaj, Bashkim Hoxha dhe Ruzhdi Gole. Diskutimi u përqëndrua te vlerat e kritikës objektive, profesionale dhe konstruktive të E. Bidos. Nga paneli u theksua dhe u përkrah theksi sintetik, mprehtësia dhe paanshmëria në librin e tij. Po ashtu u nënvizua me kënaqësi edhe nga disktutantë shkrimtarë dhe artistë në sallë rikthimi i kritikës së mirëfilltë me botime të tilla. Bibliografja dhe autorja e re Edlira Macaj theksoi cilësitë vëzhguese dhe hulumtuese, duke propozuar thellimin e mëtejshëm e punës së autorit edhe me monografi të plota mbi një autor, apo dukuri të letërsisë. Po ashtu Bidos iu drejtuan pyetje mbi krijimtarinë e tij origjinale fillimisht në poezi e mandej në prozë të shkurtër, veçmas te libri i fundit.

Nga pyetje – përgjigjet e kritikut me vetë autorët u zbuluan aspekte të ndryshme të krijimtarisë së tyre të analizuar. Romanet cilësorë dhe origjinalë të Canosinajt për të rritur, dramatizmi në prozën e gjatë të Bashkim Hoxhës, lirizmi modern i Ruzhdi Goles, njëkohësisht fitues i çmimit kombëtar “Donat Kurti” në letërsinë për fëmijë me vëllimin poetik “Kureshtja për t’u rritur”. Debati u soll edhe rreth çështjeve të tjera, si raporti mes gjinive të lëvruara, e shkuara dhe e tashmja e letërsisë shqipe dhe e publicistikës, libri elektronik dhe leximi tradicional, përdorimi i gjuhës standard dhe shmangia e barbarizmave sot, etj.

Autorë, eseistë dhe publicistë që morën pjesë në tryezë shprehën besimin se me të tillë libra, të destinuar për klasat e larta të shkollës së mesme, studentët e fakulteteve dhe, natyrisht  studiuesve të letërsisë dhe përkthyesve, janë një premisë e sigurt e ringritjes së institucionit të kritikës letrare tek ne.

Autori falënderoi prof. K. Jorgon si konsulent, koleget e bibliotekës së qytetit për bashkëpunimin dhe Botimet Jozef për cilësinë e botimit të librit dhe përshëndeti të pranishmit me poezinë “Shqipes qindvjeçe”, shkruar në 28 Nëntor të vitit të kaluar