E Hene 21 mars 2011

Moderniteti në prozën  e sotme shqiptare

Nga Enton Bido

Kohët e fundit, në mendimin tonë kritik letrar është hasur mendimi, se tek disa autorë shqiptarë të para viteve ’90, sot vihet re një ringjallje1. Është fjala për shkrimtarë të spikatur, si I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, etj, krijimtaria e të cilëve u zhvillua kryesisht pas viteve ’60. Duke parë ecurinë e prurjes letrare të këtyre shkrimtarëve të spikatur,në prurjen e tyre letrare pas 1990-ës, nuk shihet me vend përdorimi i termit “ringjallje”. I diskutueshëm duket ky term, i konceptuar si lëvizje letrare me botëkuptim dhe filozofi të re, që zbulon vlera të tjera njerëzore dhe koncepte të reja estetike, emancipon artin, mendësinë, sjell gjini të tjera, riformëson ato ekzistuese, etj. Një ringjallje e re si nocion ngjan e largët. Në lëmin tonë kulturor në përgjithësi e në atë letrar në veçanti nuk është hasur një traktat, apo manifest pararojë i zhvillimeve të tilla.

Le të marrim disa autorë dhe vepra përfaqësuese në prozë.

Dritëro Agolli pas viteve ’90 vijoi të botojë , në prozë dhe sidomos në poezi. Në prozë Agolli, ndër të tjera botoi romanin pretendues Arka e djallit.(1997) Për këtë vepër, autori u shpreh, se do të mundte të ndryshonte përfytyrimin mbi letërsinë shqipe. Mirëpo, romani dhe aventurat e Cute Babules dhe Sherif Abecesë, nuk e patën jehonën dhe ndikimin e pretenduar, megjithëse filozofia dhe satira vërehen qartë Leximi i prozës së tij ra, krahasuar me pritjen që i bëhej këtij prozatori para viteve ‘90. Mbetet për t’u diskutuar nëse e meta qëndron te vetë romani, te receptimi, apo te kritika e mangët.

Ismail Kadare vijoi të shkruajë dhe të botojë rregullisht. Është pranuar përgjithësisht nga opinioni letrar, aq i vëmendshëm ndaj prodhimit letrar të këtij shkrimtari – ky është edhe mendimi ynë – se niveli i prozës së tij nuk qëndron në të njëjtat kulme me prozën e para ’90. Këtu përjashtohet romani Lulet e ftohta të marsit, (2000) një prozë e gjatë, ku realizmi ndërthuret natyrshëm dhe në mënyrë origjinale me surealizmin. Përndryshe kemi edhe romanin Shkaba (1996). Tek kjo vepër kemi mitin e njohur, por të ritrajtuar në optikë postmoderne në rrafshin mendësor e filozofik. Interesante është shtënia në punë e elementëve simbolistë.

Çështje të marrëzisë (2004), në fakt është vazhdim subjektor i korpusit të veprave me temë vendlindjen dhe fëmijërinë (Kronikë në gur, Breznia e Hankonatëve, Koha e shkrimeve, etj) E reja qëndron jo tek stili i të rrëfyerit, por tek heqja e tabuve nën këndvështrimin naiv të një fëmije. Tema e fillimit të njohjes së seksualitetit nga fëmija kalon nga ironia shkallë- shkallë në sarkazëm., temë që autori e ka përdorur  edhe më parë te romani Kronikë në gur. Ky përfundim arrihet veçmas. Ndërsa romani në tërësi, në kontekst mund të thuhet se kalon në grotesk.

Në listën e titujve të Kadaresë në këtë periudhë, ka edhe ndonjë tjetër të arrirë, si  Tri këngë zie për Kosovën (1998), të cilat janë novela, ku dallon kryesisht stili, në kënd- vështrimet e tjera rrëfimtaria nuk sjell risi. Për këtë çështje,është shtuar edhe ndonjë pikëpamje e ndryshme, me të cilën nuk ndajmë të njëjtin mendim 3

Sa u takon prozave të tjera të autorit ato nuk kanë sjellë risitë dhe vlerat e pritura artistike, së paku të nivelit të veprës së tij letrare të para viteve ’90.

Nga sa u parashtrua, dy autorët më përfaqësues të letërsisë së pasluftës në Shqipëri, pjesa e dërrmuese e veprës së të cilëve i është shkruar gjatë realizmit socialist, kanë në përgjithësi një vazhdimësi relative, por nuk mund të bëhet fjalë për ringjallje. Ndoshta nuk vërejtëm botëkuptimin a filozofinë e re, që sjell vlera të reja artistike, koncepte më moderne estetike dhe ripërtëritje të atyre ekzistuese. Veprat e sipërpërmendura nuk marrin mbase rolin emancipues në artin e fjalës, në mendësinë e lexuesit, apo riformësimin e atyre tashmë të qena.

Duken më pranë bashkëkohësisë një grup shkrimtarësh të zbuluar apo të rizbuluar, si : Martin Camaj, Arshi Pipa; prozatorë të sotëm si: Visar Zhiti, Fatos Kongoli, Elvira Dones, etj.

Fatos Kongolin mund ta rendisim ndër shkrimtarët e mesit të ’80, të cilët spikatën dhe morën profil të mëvetësishëm krijues pas hapjes së sistemit politik. Trajtimi i ri i gjendjes dhe jetës së njeriut nën totalitarizëm, deheroizimi i tij, psikoza kafkiane e përndjekjes, veset e njeriut dhe erotizmi, e dalluan sakaq këtë shkrimtar. Vepra si Kufoma, I humburi, Ëndrra e Damokleut. përmbysin imazhin e njeriut të lumtur socialist. Të vërtetat therëse dhe dritëhijet e forta të personalitetit të njeriut formësuan një filozofi dhe estetikë krejt ndryshe nga e mëparshmja. Në romanet e mëpastajmë vihet re një lloj përsëritjeje.

Romani Vera pa kthim (1991) i B. Mustafajt, ndërtuar vetëm mbi dy personazhe, bashkëshortët Gori dhe Sana, ku i pari është sa i pranishëm, aq dhe i munguar, njeri dhe hije. Mendojmë se është një roman ekzistencial i mungesës dhe i pritjes. Absurdi si procedim bashkohet me dhimbjen dhe vetminë. Tek prozat e mëpastajme, autori nuk e ka ruajtur këtë nivel të lartë rrëfimtarie. Këtu përjashtohet deri në një farë mase romani Boshi (1998)

Raste të rëndësishme janë edhe ato të shkrimtarëve jashtë Shqipërisë, që shkruajnë edhe në gjuhë të huaj. Këtu kalojmë në një hipostazë tjetër, në letërsinë shqiptare. Kemi në njërën anë shkrimtarët shqiptarë dygjuhësh Luan Starova shqip dhe maqedonisht,  Elvira Dones edhe në italisht, Ardian Kyçyku edhe në rumanisht, etj  Në anën tjetër, për shembull, proza e Ornela Vorpsit në italisht,  etj. Këta autorë kanë peshë në letërsinë shqiptare edhe për faktin e promovimit të letërsisë sonë në botë. Mirëpo, letërsia që ata shkruajnë duhet analizuar e përveçuar, edhe në kontekstin e letërsisë në gjuhën e së cilës shkruajnë (poeti Skënder Sherifi në frëngjisht ), edhe në atë të letërsisë shqiptare ( L.Starova, E.Dones), etj. Lipset përkthimi i veprës së plotë të tyre dhe studimi serioz shkencor dhe jo heshtja.

* * *

Duket i saktë mendimi, që shkrimtarët e rinj sot nuk janë organizuar nga ndonjë prapavijë e mirëpërcaktuar estetike dhe filozofike. Krijuesit  e rinj janë grupuar, tubuar rreth periodikësh a shtojcash letraro-kulturore. Problemi është, se mos vallë ky miniorganizim, shpesh jetëshkurtër, bazohet te brezi moshor dhe interesat e grupit, jo tek shtrati teorik, parimet e njëjta estetike apo prirjet e përafërta gjinore dhe estetike. Thënë shkurt, nuk kemi rryma të njëmendëta letrare.. Lindja e një fryme të re duket se ka të përbashkët me procese të njëjta botërore refuzimin e rrymës pararendëse, eksperimentimet dhe lirinë krijuese në kundërvënie me kanonet e ngurta. P.sh: në rastin e simbolizmit francez, reagimi ndaj natyralizmit; në rastin tonë, mospranimi i metodës së realizmit socialist. Kjo dukuri vihet re, mbi të gjitha te brezi i ri i krijuesve të sipërpërmendur.  Ndryshimet e thella rrënjësore ideologjike, politike dhe shoqërore pasuan me “rizgjim” të vlerave kulturore, por ende jo me ringjallje, ose rilindje të tyre.

Mendojmë se, nuk është e domosdoshme t’i përkasësh një rryme a shkolle letrare për të qenë i sukseshëm. Vërtet, që në letërsinë dhe në studimet letrare shqiptare sot ekziston rrëmuja, por letërsia nuk është eksperimentim shkencor laboratorësh, ku gjithçka duhet të ndodhë në kohën dhe vendin e duhur. Ç’mund të themi për veprën e Martin Camajt,Kasëm Trebeshinës, apo Frederik Rreshpjes si përkatësi “izmash” ? Pyetje shumë e vështirë.

Kjo rrëmujë ia vështirëson punën historianit të letërsisë, por jo krijuesve apo lexuesve. Duke qëndruar te instanca e lexuesit, është kritika letrare ajo, e cila duhet ta orientojë. Shkrimtari nuk është pjesë e kësaj marrëdhënieje. Me intuitën e lexuesit, këshillimin e kritikës, apo rastësisht, vepra letrare do të hyjë në komunikim, do të receptohet. Mbetet që ne  ta lexojmë, shijojmë estetikisht dhe vlerësojmë artistikisht atë, pa bërë detyrimisht në mbarim të aktit të leximit, pyetjen e ngulët skolastike: Cilës rrymë i përket vepra?

 

Referenca :

1. Sinani, Shaban : Letërsia shqipe në kohët moderne, Perla, nr. 1, 2008, f. 50-72

2. Dado, Floresha : Si rrjedh letërsia e viteve ’90, Mehr Licht! nr. 30, maj 2007, f. 148-155

3. Myftiu, Abdurrahim : Tonet satirike : Romani Arka e djallit i Dritëro Agollit, USHL, nr. 2 1997, f. 8-9