E premte, 1 gusht 2008

Nga Mark  Brunga

Dëborërat  e dimrit të kaluar e kanë braktisur pak e nga pak peizazhin  emocionues të maleve të Skraparit. Erërat e ngrohta e ditët me diell sikur ia kanë zgjeruar frymëmarrjen gjelbërimit. Është kënaqësi për këdo që i jepet rasti të udhëtojë në këto vise të Mrekullueshme, që të befasojnë me pamje të panjohura surprizuese edhe tani, në kulmin e verës. Duhet të njohësh nga afër poetin e madh Xhevahir Spahiu, si dhe të kesh shijuar disa nga poezitë e tij më brilante, për të kuptuar mbase diçka të paktë nga magjia e vendlindjes së tij dhe se përse vargjet i ka aq të bukura e rebele. Malet kanë filluar të blerojnë dhe ujërat e zhurmshme të Osumit, në këmbë të malit të Tomorit, Fronit të Perëndive, siç e quante Naimi ynë, kanë marrë një ngjyrë të veçantë.

BRIGJEVE ME  KANIONE

Kanionet e Skraparit janë të rralla në Europë. Mahnitja që ndjen pranë  tyre është e papërshkueshme. “Ato kanë një gjatësi rreth 10 kilometra dhe thellësia e honeve shkon deri në 340 metra”-thonë vendasit. Kohët e fundit, përveç ekipeve sportive të huaja që vijnë për kanotazh, kanë filluar të vijnë edhe ekipe televizive për të xhiruar spote dhe videoklipe këngësh. Sikur duan të marrin diçka nga magjia e vendit për t’ua dhënë për fat këngëve të nemitura që prodhohen vitet e fundit. Prodhuesit në këtë rast duken edhe si prindërit që i çojnë për shëndet fëmijët e lindur me anemi në një vend klimaterik…Po pavarësisht nga këto bukuri spikatëse, çdo vizitor vëren me trishtim edhe rrallimin e njerëzve. Shumë banorë e kanë braktisur dhe po e braktisin vendlindjen, në kërkim të një jetë më të mirë drejt Tiranës, Durrësit a gjetke. Emigracioni, më së shumti drejt Greqisë fqinje dhe Italisë, ka hequr nga prodhimi forcën më të madhe aktive që përbëhet nga të rinjtë. Ndërsa lart, në fshatin Blezenckë, që i përket komunës së Çepanit, argumentojnë  me fakte se edhe këtu mund të jetohet. Madje mund të fitohet edhe më shume se në emigracion. Kadri  Muçi thotë se duke punuar në tokat e veta ka fituar me shumë se emigrant. Duke u marrë thjeshtë me punët e zakonshme të krahinës, me vreshtari dhe me blegtori.

BLEZENCKA

Blezencka nga brigjet e Osumit duket si një ortek shtëpish që, prej rrëshqitjes së dherave,  po bie në humbëtirat e kanioneve. Realisht rrëshqitja ka filluar prej kohësh, por duket se vitet e fundit ka ndalur disi. Tashmë, nga 40 shtëpi që ka pasur dikur ky fshat, kanë mbetur vetëm 11. Kadri Muçi  sapo nxjerrë nga hauri plugun, i cili gjatë dimrit ka vënë pak ndryshk, por puna që ka përpara do t’ia rikthejë shkëlqimin plugut. Vitin e shkuar ai ka vënë në prodhim 2 hektarë vreshtë dhe vetëm me shitjen e produkteve të njohura të Skraparit, raki dhe verëra, ai ka fituar rreth 6 milion lekë të vjetra. Por ai thotë se ky nuk është fitimi i tij i vetëm. Gjatë vitit të kaluar ka siguruar jo pak të ardhura edhe nga blegtoria, pasi në treg ka patur një rritje kërkesash për qumësht, djathë e mish. Kur mëson edhe për punë të tjera që garantojnë fitim, të vjen keq  kur ndesh vende të braktisura që janë edhe më shumë produktive. Shumë prej të rinjve vendas thonë se bëjnë të njëjtat punë në Greqi dhe fitojnë atje mbase më pak se po të punonin në pronat e tyre. Ndërsa Kadriu këtë vit ka planifikuar që të rrisë sipërfaqen e tokave në prodhim.

QENDRESA

Në qëndër të fshatit dallohen një grumbull kullash, të cilat duken si fortesa të vogla. Duken punimet cilësore të mjeshtërve të vjetër që kanë synuar jetëgjatësinë e ndërtesave për të mbajtur në to të gjallë jetën e shumë brezave. Në shtëpinë e Haki Luman Muçit tregojnë me krenari se kullën e kanë ndërtuar disa mjeshtra të Oparit. Gurët e portës dhe të qosheve janë të gdhendura nga kryemjeshtri Shahin Opari. Kulla ka dy pllaka përkujtimore, atë të përfundimit të punimeve në vitin 1937 si dhe tjetrën që tregon se kulla ka qenë bazë e rëndësishme gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Duke e parë të mbushur ende me banorë të duket akoma si një shtab emergjence që s’e ka braktisur llogoren e jetës në këtë vend.

NDERTESA E SHTABIT

Realisht nuk ka asnjë shtab gjëkundi, por baraka e konstruktuar  me arka municioni të duket si e tillë. Para saj ndodhet një shtyllë elektrike betoni ku shkruhet “LSI”. Me që Ilir Meta është deputet i zonës dhe sapo kishin filluar konfliktet mes shtabeve të të majteve në Tiranë, dikush e cilësoi si shtab luftarak të politikanit Meta. Në të vërtetë këtë barakë e ka ndërtuar një i moshuar që s’do ta braktise fshatin e vet. Ai është 70-vjeçari Xhevahir Jahja, i cili ka konstruktuar edhe shtëpinë, duke e transformuar thuajse në të re. “Fshatin tim të lindjes s’do ta braktis kurrë” – thotë me krenari ai. I moshuari banon me të ëmën 88-vjeçare, Shefikanë, me gruan, djalin e madh e nusen që ka 3 fëmijë. Poshtë këmbëve të kodrinës së butë janë honet e kanioneve. Ato janë thithëse, por ky fshat i bukur s’do jetë pre e tyre. “Ai do të qëndrojë i sigurt si mbi një trampolinë malore”-thonë banorët. Xhevahir Jahja pozon me krenari së bashku me të nipin, si ushtarë të një istikami. Ndërsa në krahun tjetër të lumit, disa vendas kanë ardhur nga Tirana dhe kanë ndërtuar një banesë të re. Ndoshta po fillon rikthimi. Tokat e punuara rreth shtëpisë së bukur blerojnë. Është ngjyra e përtëritjes së jetës.

LEGJENDA E VIDHIT

Në qendër te fshatit ndodhet një ndërtesë e konstruktuar me arka municionesh. Pranë saj është një pemë e rrëzuar, por që askush nuk e ka marrë për dru zjarri. Pema është një vidh shekullor me mbi 30 metra gjatësi që është rrëzuar nga mosha, por që ka prapa një histori. Legjenda thotë se Kryegjyshata e parë e Bektashinjve në Shqipëri  është ndërtuar në fshatin Prishtë. Fshatarët ende besojnë se pema ka lulëzuar pikërisht në vendin ku ka mbështetur majën e shkopit të vetë Kryegjyshi i sapo ardhur nga Stambolli.

GURI HIDROMETRIK

Që prej kohësh që s’mbahen mend, edhe këtu banorët kanë gjetur në natyre objekte të cilat u kanë shërbyer si mjete të përcaktimit të dukurive të ndryshme natyrore e gjeografike. Duke banuar në brigjet e një lumi malor, në një vend me klimë mjaft  kapricioze, banorët e mençur kanë arritur të përcaktojnë me shenja se kur do të ketë shira, diell, dëborë etj. Pak a shumë si banorët e Egjiptit të lashtë. Interesant është një gur që gjendet në thellësi të shtratit të lumit, pranë urës së vjetër. Kur ky gur mbulohet nga uji i reshjeve, atëherë lumi përmbyt tërë qytetin e Çorovodës. Bazuar tek këto thënie, këtë lloj guri, që shquhet hijerëndë në mes të shtratit lumor, mund ta quajmë si Gurin Hidrometrik të Skraparit.

VËRA E NUSES

Pranë brigjeve me kanionë ekziston një gropë për të cilën tregohet një histori. Një legjendë për dashurinë dhe besnikërinë. E monumentalizuar tashmë në gurët gëlqerorë të breglumit. Gropa, të cilën nxituam ta fiksojmë në objektiv quhet nga vendasit “Vëra e Nuses”. Ajo ndodhet në vendin me toponiminë Bigas. Nusja vinte nga Grepcka në Rovesë. Legjenda vjen nëpërmjet një kënge te trishtuar e tragjike.

O moj udhë, e mbara udhë

Hapu ti të futem unë…

Ç’kishte ndodhur që nusja në ditën më të bukur të jetës së saj të bënte një thirrje kaq tragjike për t’u vetësakrifikuar. Përgjigjen vazhdon ta japë legjenda. Krushku shoqërues, i dehur nga bukuria e nuses, s’e ka kontrolluar veten dhe, duke përfituar nga rruga e keqe, ka tentuar ta shtrëngojë në gjinjtë e plotë e dehës…Nusja s’e ka duruar këtë turp dhe është hedhur  ne kanione…Realisht për shkaqe dashurie të parealizuara e drama të mëdha shpirtërore mund të jenë vetëflijuar shumë vajza të bukura, dhe sot legjenda e kësaj nuseje ka si monument pikërisht një gropë në anë të kanioneve. Këtë legjendë të rrallë të Skraparit e tregon Baftjar Nanaj, nga Muzhencka e zonës së Malindit. Ai është një ish-oficer artilerie që e kalon pensionin tani në qytetin e Durrësit.

USHËTIMA E HISTORISË

Një studente nga Tomorrica, Alfida Saliasi më kishte thënë dikur se në Gjerbës janë të strehuar banorë të Himarës, të cilën në furinë e largimit nga pushtuesit turq a mbase nga piratët e shumtë të brigjeve Joniane, nuk kishin harruar që të merrnin edhe kambanën e kishës me vete. Si pjesë të pandarë të identitetit kulturor e shpirtëror të tyre. Dhe shtonte se kjo kambanë ishte gjetur. Në ditë të vështira populli i kësaj treve u është gjendur vëllezërve të Himarës në fatkeqësi, duke u dhenë vend në sqetull të malit të tyre të shenjtë. Historia përsëritet. Si në vitin 1999 me popullin e Kosovës. Varret e e vjetra të  himarjotëve, edhe sot quhen “Varret e kaurit”.

Interesante është edhe një poezi në librin “Pezull” me një shënim poshtë saj, i poetit Xhevahir Spahiu. Ai i kumton lexuesit se Gërdeci është vendlindja e Vojsava Kastriotit. Kjo është shkruar në faqen 38, poshtë poezisë “VOJSAVA”  dhe poeti  përafron emërtimin e lumit Vjosë e frutit “vojsë”. Ai shkruan mes të tjerave në 3 vargje:

Kam një letër nga funddheu. Është E Gjergjit, dora vetë

kapedanit të kalave, nipit tuaj, bir Vojsave, rrënjë e racës

së Muzakajve.

Dhe Gërdeci e Gjerbësi janë pranë e pranë, ashtu siç rrinë pranë e pranë edhe shumë fakte mbresëlënëse të historisë sonë. Nuk mund të rrish pa i kujtuar këto vlera kur udhëton nëpër këtë trevë të veçantë. Është koha kur erërat fryjnë me vrull. Të duket sikur nëpër luginat dhe grykat e Skraparit ushton dhe historia. Historia jonë, e treguar kaq bukur e thjeshtë nga studentja e gazetarisë dhe nga Xhevahir Spahiu, një poet skraparlli që është sot xhevahir i poezisë sonë kombëtare.